Analfabetizmi financiar, përse nuk dimë asgjë për paratë tona?


Sa shumë merrni vesh nga paratë? Për ta ditur, provoni t’u përgjigjeni këtyre tre pyetjeve. 1) Supozoni që keni 100 Euro në një llogari kursimi në bankën tuaj, dhe që norma e interesit për këtë llogari është 2 përqind në vit. Cila është shuma që do të keni në këtë llogari bankare pas pesë vitesh, duke supozuar që nuk do i tërhiqni asnjëherë paratë tuaja? A) Më shumë se 102 Euro. B) Ekzaktësisht 102 Euro. C) Më pak se 102 Euro. D) Nuk e di/nuk përgjigjem.

84050_3

 

 

 

 


2) Supozoni që norma e interesit që merrni për paratë tuaja është 1 përqind në vit dhe që norma vjetore e inflacionit është 2 përqind. Pas një viti do të mund të blini: A) Më shumë nga sa mund të blini sot me ata kursime. B) Ekzaktësisht njësoj. C) Më pak. D) Nuk e di, nuk përgjigjem. 

3) Blerja e aksioneve të një kompanie të vetme zakonisht garanton të ardhura më të sigurta se sa blerja e aksioneve të një fondi që investon në kompani të ndryshme. Ky pohim është: A) I vërtetë. B) I pavërtetë. C) Nuk e di, nuk përgjigjem. 

Përgjigjet e sakta janë A) për pyetjen e parë, C) për pyetjen e dytë dhe B) për pyetjen e tretë.

Si ia dolët? Në Rusi, 96 % e të intervistuarve nuk ka ditur të japë një përgjigje të saktë për të tre pyetjet. Në SHBA, në mekën e kapitalizmit, vetëm 30% iu përgjigj saktë të treja pyetjeve. Rezultatet më të mirë i kanë arritur gjermanët (53 % përgjigje të sakta) dhe zviceranët (50 përqind). Edhe në vendet me rezultate më të mirë, gjysma apo pak më shumë se gjysma e popullsisë nuk e ka kaluar testin. Më keq kanë dalë italianët (75 përqind nuk iu përgjigj saktë tre pyetjeve), suedezët (79 përqind) dhe francezët (69 përqind). Por edhe japonezët (73 përqind). 

Këto dhe të dhëna të tjera mbi pasigurinë e dijeve financiare të popullsisë botërore janë ilustruar nga ekonomistet Annamaria Lusardi dhe Olivia Mitchell. Eshtë një studim alarmant, sepse demonstron injorancën e përgjithshme në fushën e financës në një botë që është gjithmonë e më e domosdoshme që njerëzit të dinë të menaxhojnë paratë e tyre. Përhapja e kartave të kreditit, e kredive, huave për të paguar studimet dhe kredia konsumatore për blerje automobilësh dhe elektroshtëpiakesh, lehtësia me të cilën investitorët e vegjël mund të blejnë aksione në Bursë dhe ekspansioni i fondeve të pensioneve janë vetëm disa prej realiteteve që e bëjnë gjithnjë e më të rrezikshëm ekzistencën e këtij analfabetizmi të përhapur financiar. 

Një tjetër element, edhe më i rëndësishëm, është që klasa e mesme nuk ka qenë kurrë kaq e madhe në numër në vendet më pak të zhvilluar. Përmirësimi i kushteve ekonomikë të kësaj klase të re të mesme është në rrezik, nëse përbërësit e saj nuk janë në gjendje të administrojnë shpenzimet e tyre, të mbrojnë kursimet apo të refuzojnë propozime për investime që bartin risqe katastrofikë. Edhe në vendet më të zhvilluar, të goditur nga kriza financiare, është më mirë që të dish të menaxhosh si duhet paratë e tua. Lusardi dhe Mitchell kanë zbuluar se personat me një nivel arsimi më të ulët përmirësojnë me 82% situatën e tyre ekonomike në momentin kur përftojnë dije më të shumta në lidhje me menaxhimin e parasë. E megjithatë, nuk janë të shumtë ata që janë të interesuar të mësojnë më shumë për këtë temë, sepse shumica e njerëzve, kur flitet për para, e konsiderojnë veten më kompetentë nga sa janë në të vërtetë. Kur pyetën një grup amerikanësh që të tregonin nivelin e tyre të aftësive financiare në një shkallë nga 1 (shumë ulët) në 7 (shumë lart), 70 përqind thanë se kishin një nivel më të lartë se 4: e megjithatë, vetëm 30 % ditën t’i përgjigjen me saktësi 3 pyetjeve. E njëjta gjë ndodhi në Gjermani dhe në Holandë. 

Nga studimi doli edhe që kategoritë me nivele më të ulët të aftësive financiare janë të moshuarit, gratë dhe të varfërit. Jo vetëm kaq: bashkë me moshën rritet edhe besimi i personave për vlefshmërinë e vendimeve të tyre financiarë, e si pasojë rritet edhe hendeku mes asaj që besojnë se dinë dhe asaj që tregojnë në praktikë që dinë. Një tjetër dallim ka të bëjë me gjininë: burrat shfaqin dije financiare më të mëdha se gratë, pavarësisht moshës apo nivelit të arsimit. Por, ndërkohë që numri i grave që japin përgjigje të gabuara është më i madh se ai i burrave, gratë janë më të prirura të përgjigjen “Nuk e di”, një rezultat ky që përsëritet në mënyrë identike në të gjithë shtetet. Ky vetëdijësim për limitet e tyre lë të kuptosh se gratë janë ndoshta më të prirura se sa burrat që të marrin pjesë në programe edukimi financiar. 

Në çdo rast, këta studime konfirmojnë nevojën urgjente për të luftuar analfabetizmin financiar në të gjithë botën. Eshtë e qartë se duhen ofruar programe edukimi financiar praktikë dhe lehtësisht të aksesueshëm për të gjithë ata miliona njerëz, në çdo cep të botës, që do të mund të kishin një situatë ekonomike më të mirë, nëse do t’i administronin më mirë paratë e tyre.


 

Related News

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *