Hetimet, shqiptari dhe piloti italian u takuan para 3 ditësh. Një makinë me drogë u largua

aeroplaniTIRANE – Zbardhen detaje të reja për trafikun e drogës në Divjakë. Burime pranë organit të akuzës tregojnë të gjitha lëvizjet e personave të përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës. Nga të njëjtat burime mësohet se, përveç dëshmisë së 35-vjeçarit të arrestuar, Saimir Bajrami, i cili ka deklaruar se piloti italian ka lidhje me drogën e sekuestruar nga policia, ka edhe prova të tjera që provojnë këtë lidhje. Burime të sigurta pranë organit të akuzës sqarojnë se njohjen mes shqiptarit dhe pilotit italian të arrestuar e konfirmojnë edhe takimet që janë realizuar mes dy palëve disa ditë më parë në Tiranë. Sipas të njëjtave burime, Bajrami dhe 67-vjeçari Giorgio Riformato kanë hyrë të dy në të njëjtën ditë në Shqipëri dhe janë takuar në Tiranë tri ditë më parë, ku kanë folur për trafikun e drogës. “Dy të arrestuarit janë parë bashkë në Tiranë para tri ditësh. Kjo tregon se ata kanë pasur njohje me njëri-tjetrin dhe se tri ditë para se të kapej droga në Divjakë, ata janë takuar. Kjo tregon se të dyja palët kanë diskutuar për drogën gjatë takimit”, pohojnë burime nga grupi hetimor. 
Skema 
Organi i akuzës ka edhe skemën sipas së cilës është bërë plani për trafikun e drogës drejt shtetit fqinj. Sipas prokurorisë, droga është marrë në një magazinë në Shqipëri dhe ka pasur si destinacion shtetin italian. Burime nga organi i akuzës sqarojnë se piloti italian e ka llogaritur çdo gjë që nga momenti që është nisur nga Rinasi në drejtim të Divjakës. “Është nisur mëngjesin e së shtunës nga Rinasi, ka marrë lejen dhe sipas itinerarit që duhej të ndiqte, avioni duhej të kalonte nga Durrësi. Por, avioni rrugës ka ndërruar itinerar, pasi piloti italian ka marrë në telefon autoritetet përkatëse dhe u ka kërkuar që t’i bjerë nga bregdeti jugor, me pretekstin se i pëlqente bregdeti ynë. Autoritetet i kanë dhënë vetëm gjysmë ore kohë dhe i kanë thënë që, pasi të shihte disa gjëra, të kthehej sërish nga destinacioni i mëparshëm, nga Durrësi”, sqarojnë burimet e prokurorisë. Më tej, të njëjtat burime sqarojnë se avioni ka shkuar me plan në Divjakë, ku ishte menduar që të merrej edhe droga. “Piloti italian ka fikur radion komunikuese gjatë këtij 30 minutëshi dhe u ka thënë autoriteteve se ka humbur kontrollin për shkak të një turbulence ajrore dhe për këtë është detyruar që të ulet në Divjakë, ku ka pësuar edhe dëmtimin tek rrota”, pohojnë burimet pranë organit të akuzës. Mësohet se në vendin ku u rrëzua avioni prisnin dy makina me drogë, njëra prej të cilave ka arritur që të largohet në momentin që ka parë që avioni është rrëzuar. Burimet sqarojnë se është ndaluar vetëm makina që drejtohej nga Saimir Bajrami, i cili është përpjekur të largohet nga pylli i Divjakës, por pa sukses, sepse makina i ka pësuar defekt dhe është kapur nga uniformat blu. Mësohet se gjatë përpjekjes për t’u larguar, Bajrami është munduar që të largojë drogën nga makina duke e hedhur në pyll, çka shpjegon edhe shtatë çantat që janë gjetur me drogë në pyllin e Divjakës. 

Related News

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *